Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, ka reaguar pas moslejimit nga autoritetet serbe për të vizituar Luginën e Preshevës, përcjell InLajmi.
Sveçla bëri të ditur se më 29 dhjetor ka pranuar ftesë nga Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në 3 komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi.
Ministri sqaron se ka respektuar marrëveshjen e Brukselit dhe praktikave të deritanishme, duke kujtuar kështu se përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellur agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në Zyren ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizimin e vizitës.
Tutje ministri theksoi se kërkesa për vizitë sipas informatave nga zyrtari i Zyrës ndërlidhës në Beograd është refuzuar pa asnjë arsye nga autoritetet e Serbisë.
Pavarësisht vendimit të Serbisë, ministri Sveçla shprehet se ky refuzim nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës.
Postimi i plotë i tij:
Me datë 29 dhjetor kam pranuar ftesë nga z. Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në 3 komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet.
Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellur agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyren ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës.
Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye spjegim.
Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës.
Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta.
Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes 2 shteteve tona. /InLajmi/