Marrëveshja e fillimvitit 2023 në të vërtetë nuk ka zgjidhur asgjë mes Kosovës dhe Serbisë, thotë ish-diplomati britanik, Timothy Less në një intervistë me shkrim për Gazetën Express. “Sa i përket zgjidhjes eventuale, perspektivat po zvogëlohen”.
Marrëdhëniet që do të duhej të normalizoheshin pas atij dakordimi që konsiderohej historik, janë bërë më antagoniste, thotë Less, dhe rreziku i konfliktit të hapur është më i madh tash se sa ishte në fillim të vitit paraprak.
Less thotë se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti “ka sjellë sanksione ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe mundësinë e një ndërhyrjeje të armatosur nga Serbia”.
Mënyrën e vetme për t’i shmangur këto, ai e sheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por nuk beson se pala kosovare do ta bëjë këtë. Përmend 3 arsye se pse ai nuk sheh shumë mundësi se do të ketë përshpejtim të zbatimit të marrëveshjes këtë vit.
“Objektivi përfundimtar i Serbisë, siç them unë, është ta ndajë Kosovën përgjatë lumit Ibër dhe një Asociacion me një territor të demarkuar do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në atë drejtim”.
Studiuesi në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it parashikon se Serbia do të presë që politika ndërkombëtare të kthehet në favor të saj. Sipas Less, kjo është shumë e mundur. Ai thotë se në fund të këtij viti Kosova “do të jetë në një pozitë më të keqe” pasi paraprakisht zgjedhjet europiane dhe ato në SHBA “do ta favorizojnë Serbinë”.
Nëse sondazhet janë të sakta, Less thotë se Donald Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë së bashku me idenë e ripërcaktimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në BE do të ketë ndryshime që do ta bënin të gjerë mbështetjen në kontient për këtë opsion.
Serbia, siç thotë ai, do të jetë më e lirë për ta shtyrë këtë, “nëse është e nevojshme, me mjete shtrënguese”,duke pasur parasysh se s’ka shumë rrezik se do të sanksionohej për këtë.