Policia e Kosovës ka njoftuar se në Zubin Potok ka ndodhur një përleshje me armë zjarri ndërmjet tyre dhe disa personave të cilët u kapën në tentativë për të kontrabanduar dele nga Serbia, përcjell InLajmi.
Në njoftim thuhet se kjo ngjarje ka ndodhur në fshatin Bube të Zubin Potokut pasi kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve. Shkëmbimi me armë zjarri ka ardhur si pasojë e rezistencës së bërë nga personat për kontrollin e këtyyre automjeteve. Gjithashtu thuhet se nga kjo ngjarje nuk ka pasur të lënduar.
Rasti është njoftuar në prokurori dhe ndaj të dyshuarit janë vendosur akuzat: “sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “kontrabanda e mallrave” teksa është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Në Zubin Potok arrestohet një i dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’
Prishtinë, më 30 dhjetor 2023
Gjatë realizimit të detyrave e aktiviteteve policore, zyrtarë policorë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, sot më 30.12.2023 rreth orës 06:15, në fshatin Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve.
Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar. Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime.
Gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale: ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’.
Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vend-ngjarje janë konfiskuar, kurse më aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë. /InLajmi/