Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se viti 2023 është viti më i mirë për Shqipërinë nga çdo aspekt, ndërsa u shpreh se pritet rritje ekonomike me afro 4%.
Në konferencën e përvitshme për shtyp të fundvitit, kryeministri Rama u ndal tek arritjet që ka shënuar Shqipëria në vitin 2023.
“Them me plot gojë se ndihem më mirë se asnjë vit të mëparshëm si rezultat i gjithë ecurisë së vitit që po mbyllëm, që ka qenë viti më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt. Viti më i mirë në aspektin ekonomik, në raport me vitet e shkuara, jo me sa shumë duhet bërë për rritjen e mëtejshme. Viti më i mirë në aspektin e sigurisë, në aspektin e shërbimeve publike, investimeve publike e të huaja të drejtpërdrejta, në aspektin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se ky vit do të mbyllet me një rritje ekonomike që e tejkalon ndjeshëm çdo parashikim qoftë nga qeveria dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
“Besojmë se shifra do të jetë afro 4%, tek 3.7-3.8%. Të ardhurat kanë qenë më të larta se asnjë vit më parë, me një rritje të ndjeshme, mbi ato të parashikuara”, shtoi ai, shkruan ATSH.
Rama theksoi po ashtu se investimet e huaja direkte kanë arritur një vlerë mbi 1 miliard euro, ose afro 60 milionë euro mbi vitin e shkuar.