Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar disa projektligje, ndër to edhe Projektligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, që do të jetë në funksion të fuqizimit të sektorit të sigurisë, raporton InLajmi.
Projektligji në fjalë nuk pati kundërshtime nga kabineti qeveritar, derisa mori votat e gjithë kabinetit, pa asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Para miratimit, Kryeministri Albin Kurti, shpalosi disa nga pikat e projektligjit, ndërsa dha edhe arsyetimin se pse i duhet Kosovës ligji i tillë.
Sipas tij Projektligji për Këshillin e Sigurisë ka synim konsolidimin dhe fuqizimin e sektorit të sigurisë.
Tutje, kryeministri u shpreh se përmes tij do të rregullohet mënyra e bashkëpunimit të strukturave të sigurisë, duke ngritur nivelin e përgatitjes për t’iu përgjigjur kërcënimeve, rreziqeve dhe sfidave ndaj sigurisë së vendit./InLajmi/