Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për mosrespektim të afatit kohor për t’i trajtuar ligjet që po dërgohen në këtë Gjykatë.
Në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, ajo tha se vettingu i cili është ndër reformat kryesore është në pritje qe 10 muaj për mendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Sa i përket çështjes së sundimit të ligjit ne kemi ndërmarrë disa veprime, në këtë rast fatkeqësisht vettingu në sistemin e drejtësisë, që është një nga reformat kryesore ende pret për mendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e ka me ligj 2 muaj afatin për t’i trajtuar ligjet që kontestohen nga Kuvendi i Kosovës. Por në ligjet e ndjeshme dhe as një ligj tjetër gjykata nuk e respekton këtë afat kohor” tha ajo.
Ndërkaq, Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se deri më tani vetëm 20% e rekomandimeve nga ky institucion janë zbatuar, ndërsa janë në pritje të zbatimit për 80% të rekomandimeve tjera, shkruan Klan Kosova.
Ai tha se ka një numër të madh të rekomandimeve që presin zbatim nga autoritetet dhe institucionet e vendit.