Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 100 euro më shumë krahas pensionit bazë për pensionistët në këtë muaj.
Po, ashtu shumë të njëjtë do të marrin edhe të gjithë fëmijët deri në moshën 16-vjeç.
Ky vendim nga ana e Qeverisë po kritikohet nga Partia Socialdemokrate.
Frashër Krasniqi thotë se kjo tregon se Qeveria Kurti ka qasje populliste.
Sipas tij, Kurti nuk ka qëllim të rrisë mirëqenien e qytetarëve.
“Më shumë se sa paralajmërim për zgjedhje të reja, këto shtesa që i dha Qeveria Kurti janë konfirmim i një qasjeje tërësisht të gabuar dhe populliste të kësaj qeverie. Albin Kurti nuk ka synim të rrisë mirëqenien e përgjithshme dhe afatgjatë të qytetarëve të Kosovës duke bërë politika ndërhyrëse në sistemin social dhe ekonomik të vendit. Asnjë ndërhyrje barazitare nuk kemi pasur gjatë mandatit të tij”, u shpreh ai.
Krasniqi thotë që kur po dëshiron Kurti po iu jep lëmoshë qytetarëve.
“Është tipike për pushtetet autoritare dhe populliste që kur vendosin të hapin kuletën dhe t’i japin diçka njerëzve, kjo të jetë jo si ndryshim sistemik por si “dhuratë” që vjen prej “vullnetit të mirë” të liderit, të cilin pastaj aktivistët e vetë me të drejtë e quajnë ‘babadimër’. Pra nuk është qeveria që krijon sistem të mirëqenies ku qytetarët jetojnë më të barabartë, por është ‘babadimri’, “lideri” ai që kur t’i teket, nga “vullneti i vet i mirë” ju jep lëmoshë qytetarëve. Ky është qëllimi i Kurtit përmes këtyre ndihmave”, theksoi ai.
Frashër Krasniqi: Do t’i shpeshtojmë aksionet e protestat kundër kësaj Qeveria autoritare e populliste
Frashër Krasniqi nga PSD-ja në një intervistë me shkrim për Front Online tha se do të vazhdojnë të kundërshtojnë mendësinë autoritare që sipas tij kjo qeveri e ka.
Krasniqi thotë se përveç keqqeverisjes, Kosova po përballet edhe me mungesë të opozitës së fuqishme, veçanërisht asaj parlamentare.
Sipas tij, këto janë disa arsye që nuk do t’i ndalin aksionet e protestat, po edhe do t’i shpeshtojnë ato.
“Absolutisht po. Çdoherë e më shumë e në mënyrë më aktive. Kosova përveç që po qeveriset nga një mendësi autoritare e popullsite, pa asnjë perspektivë zhvillimore e barazitare, po ashtu është duke e ndjerë edhe mungesën e një opozite të fuqishme, veçanërisht parlamentare, e cila ka shpjegim të qartë mbi atë se çka po i ndodhë Kosovës, dhe e cila ka guxim e vendosmëri për veprim opozitar ndaj kësaj qeverie. PSD e vetëdijshme mbi të gjitha këto që i thash më sipër, dhe e palëkundur në vendosmërinë e saj për veprim, nuk do t’i ndalë aksionet e protestat e përkundrazi do t’i shpeshtojë ato”, tha ai.