Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në konferencën e përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, prezantoi të dhëna për aksidentet që kanë ndodhur gjatë vitit 2023, ndërsa theksoi ai se muaji korrik ishte më i rëndi me 18 të vdekur nga aksidentet, raporton InLajmi.
Ndërkohë, theksoi Hoxha se gjatë periudhës 1 janar-18 dhjetor, kanë vdekur 103 persona.
Ai tha se 46 nga personat e vdekur në aksidente kanë qenë shoferë, 29 persona kanë qenë këmbësorë dhe 28 kanë qenë pasagjerë.
Drejtori Hoxha theksoi se gjatë këtij viti që po lëm pas më së shumti të vdekur në aksidente ka pasur në muajin korrik, pra 18 persona.
Derisa raportoi për të dhënat me fatalitet nga aksidentet në komunikacion, drejtori Hoxha vuri në theks edhe për aktivitetet dhe inspektimet që janë bërë, ndërsa kujtoi se nga 1 prilli ka filluar zbatimi i planit operativ “Parandalimi i garave të shpejtësisë me automjete”.
Sipas tij, që atëherë janë shqiptuar 193 gjoba për pjesëmarrësit, 10 automjete janë konfiskuar edhe janë parandaluar 50 gara ilegale në të gjitha rajonet.
“Këto janë masat që janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës me qëllim parandalimin e garave. Njësia e kontrollit të autostradave ka hartuar planin operativ “Parandalimi i garave të shpejtësisë me automjete”, i cili ka filluar të zbatohet me më 1 prill. Në kuadër të këtij plani Njësia e kontrollit të autostradave dhe drejtoritë rajonale të Policisë kanë shqiptuar 193 gjoba për pjesëmarrës në këto gara, ka konfiskuar 10 automjete dhe ka parandaluar rreth 50 gara ilegale në të gjitha rajonet e Kosovës”, tha Hoxha.
Edhe ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka folur për aksidentet ndërsa ka paralajmëruar gjoba të ashpra për shkelësit e rregullave në komunikacion./InLajmi/