Shkruan: Blerim Valla
Gjakova dëshmon edhe njëherë tjetër se mbetet shtëpia e madhe e kulturës dhe e muzikës shqiptare. Si çdo vit edhe këtë herë Gjakovës iu rikthye Orkestra Simfonike e këtij qyteti me një koncerti festiv tradicional në prag të festave të fundvitit. Një koncert që do të mbahet mend gjatë dhe që padyshim ishte një kartolinë e bukur kulturore dhe muzikore e qytetit të Gjakovës.
Duartrokitje të gjata për interpretimin e shkëlqyer të Orkestrës së Filharmonisë së Gjakovës e karakterizuan koncertin e sotëm. Kjo orkestër dhe 2 sopranot mysafire u prezantuan me sukses para publikut të Gjakovës,
Formacioni prej 50 instrumentistësh nën udhëheqjen e dirigjentit Pëllumb Vula me mysafirë special 2 sopranot e njohura si: Marjana Leka dhe Edonjeta Hajdari në skenën e pallatit të kulturës në Gjakovë dhuruan një natë magjike muzikore, në një nga koncertet më unike që është realizuar ndonjëherë.
Mbi 50 artistë në një skenë të bukur dhe funksionale dhe me një publik që kishte tejmbushur sallën e madhe të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, dëshmuan edhe njëherë tjetër se arti dhe kultura në qytetin e Gjakovës i kanë rrënjët e forta dhe që aq bukur tradita e madhe muzikore e këtij qyteti do t’ju trashëgohet brezave që vijnë, me plotë sukses.
Për mbi një orë program orkestra simfonike dhe sopranot Lekaj e Hajdari sollën para adhuruesve të muzikës, një koncert madhështor , me duartrokitje të gjata që morën artistët në skenë, ritme të njohura botërore të muzikës klasike me tema të festave të fundvitit, të kompozitorëve të mëdhenj botëror nga ata klasik dhe modern si Strauss, Meyer, Bernstein, Adkins, Eepworth, Cerulli, Sheldon, Anderson, Strommen, Willliams, Norman etj.
I impresionuar nga pritja e publikut, dirigjenti Pëllumb Vula, udhëheqës i Orkestrës së Filharmonisë së Gjakovës, në fund të koncertit, ka falënderuar Komunën e Gjakovës, për mbështetjen në formimin e orkestrës, para disa viteve por edhe për këtë koncerti festiv tradicional të festave të fundvitit. duke angazhuar instrumentist, që rreth 90 përqind kanë dalur nga shkolla e mesme e muzikës “Prenk Jakova” e Gjakovës.
Kurse ambasadori i SHBA- ve në Kosovë Xhefri Hovenier që ishte mysafirë special, pas koncertit tha se, është kënaqësi të jesh në këtë mbrëmje magjike të muzikës me këta artistë të talentuar dhe para një publiku artdashës të Gjakovës.
“Ky qytet me traditë për muzikën e kulturën edhe sonte tregoi dashurinë për artin e mirëfilltë. Në këso atmosfere është kënaqësi të jesh kurdoherë mysafirë”, tha pos tjerash ambasadori Hovenier./InLajmi/