Në mbledhjen e qeverisë është marrë vendim se në këtë fundvit për të gjithë pensionistët të ndahet shtesë në shumë prej 100 eurosh përveç pensionit që marrin, përcjell InLajmi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thekson se kjo shtesë ka për qëllim lehtësimin e kostos së jetesës ndaj pensionistëve.
“Për të gjithë pensionmarrësit, këtë fundvit, me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës për këtë kategori të cenueshme, do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 eurosh, përveç pensionit të rregullt që e marrin” tha Kurti.
Kurti shprehet i kënaqur që arriti ta përmbush këtë premtim, po ashtu premton se secili fëmijë do të përfitojë 50, 100 apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve.
‘’Kam kënaqësinë që sot do të miratojmë një vendim i cili përmbushë një premtim tonin të radhës. Është fjala për subvencionimin e të gjithë fëmijëve, bazuar në të ardhurat e familjes. Kemi premtuar që çdo vit, secili fëmijë do të përfitojë 50, 100 apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve” tha ai.

Kryeministri i Kosovës tha se do të planifikojnë se kjo shtesë për fëmijët do të ketë dallim në mbështetje për ato familje që kanë më pak të ardhura, përfitojnë më shumë.
“Sivjet kemi vendosur që të gjithë fëmijët, pa dallim, të fitojnë nga skema dhe shuma të jetë 100 euro. Planifikojmë që kjo skemë të sofistikohet edhe më tutje, duke filluar zbatimin e deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues, ashtu që të ketë edhe dallim në mbështetje. Për ata që kanë më pak të ardhura, natyrisht se përfitojnë më shumë” tha Kurti.
Po ashtu në mbledhjen e qeverisë kryeministri ka bërë të ditur se kanë marrë vendim për ndarje të buxhetit shtesë për FSK-në. /InLajmi/