Lëvizja serbe Dveri vlerëson se nënshkrimi i kontratës ndërmjet Elektrosever-it serb dhe kompanisë kosovare për shpërndarjen e energjisë elektrike – KEDS nuk do të thotë vetëm se serbët në Kosovë tash e tutje do t’i paguajnë rrymë një kompanie në pronësi të Kosovës, por edhe Elektrosever në fakt është bërë pjesë e sistemit energjetik të Kosovës, transmeton InLajmi.
“E gjithë kjo është bërë në errësirë të plotë mediatike, jashtë syve të publikut, gjatë zgjedhjeve dhe në Qeverinë teknike të Serbisë, e cila nuk duhet të marrë asnjë vendim strategjik në mandatin teknik”, thuhet në deklaratën e Dveri, duke shtuar se është skandaloze që kjo temë asnjëherë nuk ka qenë në rendin e ditës të seancës parlamentare.
Për Dverin është tronditës fakti se presidenti serb Aleksandar Vuçiq thotë se është i kënaqur me kontratën e nënshkruar.
Lëvizja shton se e vërteta është krejtësisht ndryshe për shtetin e Serbisë, sepse me çdo hap negociator të ndërmarrë nga qeveria, Serbia ka gjithnjë e më pak juridiksion mbi Kosovën, shkruan Danas.rs.
Dveri dhe Bashkimi Kombëtarë garantojnë se do të anulojnë të gjitha marrëveshjet e dëmshme dhe antikushtetuese të pranuara nga qeveria aktuale në Bruksel dhe Uashington dhe do të punojnë për riintegrimin e plotë të Kosovës në Serbi, thuhet në deklaratë.