Duke kundërshtuar Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin e saj për t’u bërë pjesë e kapitullit 35 të negociatave, Serbia po mbyll derën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, thotë për Zërin e Amerikës Robert Cooper, ish-ndërmjetës në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Me këtë qëndrim diplomati britanik në pension reagoi ndaj pretendimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se përfshirja në kornizën e negociatave të dokumenteve të dakorduara mes Kosovës dhe Serbisë në gjysmën e parë të vitit 2023, do të thotë se unioni po ia mbyll derën Serbisë.
Meqë ra fjala, kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim të Serbisë përfshin marrëdhëniet fqinjësore pra rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
“Bashkimi Evropian nuk dëshiron të jetë pjesë e problemit, por ta zgjidhë atë. Misioni i tij është që të gjithë anëtarët e unionit të kenë një lloj marrëdhënieje, jo normale, por supernormale me fqinjët e tyre” , tha Cooper, i cili ndërmjetësoi dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në periudhën 2011-2012.
Bisedimet mes 2 palëve filluan pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me kërkesë të Serbisë, në vitin 2010 vendosi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
BE-ja nuk dëshiron ndarje
“Ideja për ta futur Serbinë në Bashkimin Evropian, ndërkohë që refuzon të njohë pavarësinë e fqinjit të saj dhe ta pranojë atë si një shtet më vete, nuk është në thelb të Unionit. Kjo do të forconte ndarjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo që duam është që ato ndarje të zhduken”, tha Cooper.
Në samitin e liderëve evropianë në fund të javës së ardhshme, Këshilli Evropian duhet të shpallë konkluzionet për zgjerimin një dokument që mbulon Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Turqinë, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Në draftin në të cilin kishte qasje Zëri i Amerikës, rekomandohej që Marrëveshja e Ohrit dhe aneksi i saj, i cili përcaktonte hapat në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshihej në pritjet dhe detyrimet e të 2 palëve.
“Është e qartë se këtu dominon ndjenja e urgjencës. Askush nuk e mban mend kur të 2 palët arritën një përparim të rëndësishëm në bisedime”, thotë Cooper duke kujtuar se zgjedhjet e ardhshme për përbërjen e Parlamentit Evropian do të mbahen në qershor 2024.
Fillimi i vitit dhe arritja e Marrëveshjes së Ohrit futi një dozë optimizmi se mund të ketë rezultate në dialogun më shumë se një dekadë mes Kosovës dhe Serbisë, me rezultate jashtëzakonisht të ndryshueshme.
Megjithatë, në vend të kësaj, u mbajtën disa takime të pasuksesshme dhe u shkëmbye retorikë e ashpër. Një hije e errët mbi të gjitha përpjekjet u hodh nga një sulm i armatosur i serbëve ndaj policëve të Kosovës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare, ka pasur gjithsej 4 viktima, 3 në anën e sulmuesve dhe një pjesëtar i policisë së Kosovës.
Normalizimi është pjesë e procesit të aksesit
“Bashkimi Evropian gjithmonë ka treguar se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme për normalizimin është pjesë e rrugës së anëtarësimit të 2 vendeve, Serbisë dhe Kosovës. Është më pak e rëndësishme në rastin e Kosovës, sepse aktualisht nuk ka perspektiva për anëtarësim – pasi pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e saj”, shpjegon Toby Vogel nga Këshilli joqeveritar i Brukselit për Politikat e Demokratizimit.
Vogel nënvizon se momenti aktual është shumë më i rëndësishëm për Serbinë, e cila ka përshkuar një distancë të caktuar në procesin e anëtarësimit.
“Që nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit, qëndrimi i Bashkimit Evropian, edhe pse presidenti Vuçiq refuzoi ta nënshkruajë, është se ajo është një marrëveshje ligjërisht obligative. Është një dokument për të cilin janë angazhuar verbalisht të 2 palët. Ky është momenti kur kjo do të verifikohet”, tha Vogel.
Eksperti i Brukselit nënvizon se mospajtimi i presidentit të Serbisë është i kuptueshëm – duke qenë se ai refuzoi të nënshkruajë Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin e saj, transmeton Klankosova.tv.
“Megjithatë, pëlqimi i tij nuk kërkohet Bashkimi Evropian mund ta përfshijë atë në Kapitullin 35 në mënyrë të pavarur. Më duket se Bashkimi Evropian, në një farë mënyre, po përpiqet ta bindë atë të pranojë Marrëveshjen e Ohrit – si diçka të prekshme, sepse kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Asnjëra palë nuk veproi në lidhje me të ishte, deri më tani, një letër e vdekur”, thotë Vogel.