Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se pavarësisht progresit në dialog siç është Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit, nuk ka ndodhur zbatimi i tyre.
Rohde në një intervistë në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka thënë se do të donin që të zbatimi i marrëveshjeve të fillojë sa më shpejtë.
“Ne kemi parë progres, i kemi parë Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit, por nuk kemi parë që implementimi të fillojë sa më shpejt që është e mundur por, e dini, kemi parë gjëra që zhvillohen në drejtimin e duhur. Gjermania është njëra ndër mbështetëset më të forta të pavarësisë së Kosovës. Për shembull, në javët e fundit kemi parë që në veriu njerëzit i konvertuan targat e tyre në targa të Kosovës. Ky është një proces mjaft i suksesshëm. Unë shpresoj që edhe në frontin politik implementimi do të duhej rifillojë me shpejtësinë që do të dëshironim”, ka thënë ambasadori gjerman.
Rohde i pyetur për hezitimin e Kosovës dhe Serbisë për të nisur zbatimin e marrëveshjeve, ka thënë se ai si ambasador në Kosovë, përqendrohet në atë se çfarë vendi ynë duhet të bëjë.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai ka thënë se Kosova ka marrë një obligim ndërkombëtar dhe se duhet ta zbatojë.
Ai është shprehur i sigurt se drafti i propozuar është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“I gjithë procesi i cili është shtyrë përpara sidomos nga Gjermania, veçanërisht në propozimin për njohjen de facto dhe de jure ka të bëjë me atë se çka mund të arrijmë. Unë jam ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, jo në Serbi. Andaj unë përqendrohem në atë që Kosova duhet të bëjë. Kosova ka një përgjegjësi në këtë proces, e cila është implementimi i Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe i cili është një obligim afatgjatë i Kosovës. Kështu që ne presim nga Kosova të jetë e sigurt në vete, ju e keni mbështetjen tonë dhe unë jam 100 % i sigurt se ne nuk kemi propozuar asgjë që bie në kontradiktë me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Rohde.
Ai duke komentuar raportin e Këshillit të Evropës ka thënë se është bërë e qartë se duhet themeluar Asociacionin për të bërë avancim drejt anëtarësimit në këtë institucion.
“Javën e kaluar, raporti i publikuar i ekspertëve eminent të Këshillit të Evropës, nëse shkoni në faqen 13, mund të gjeni një fjali në të ‘ne presim që për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të zbatohet AKSHS-ja’. Pra, detyra është e qartë. Bëjeni”, tha Rohde.
Emisarët evropianë dhe ata amerikanë në fund të muajit tetor kishin vizituar Kosovën, të cilët kishin sjellë edhe një draftstatut për Asociacionin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se ky draft është më i avancuar se i ai vitit 2013 dhe 2015.