Protestuesit, anëtarë të PSD-së dhe Policia janë përleshur gjatë protestës kundër vizitës së Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, raporton Ekonomia Online.
Kjo pasi u hodht gazlotsjellës, duke bërë që të intervenoj Policia e cila arrestoi kryetarin e PSD-së Dardan Molliqaj, Nol Nushin e disa aktivistë të tjerë.
Vizita e Trendafilovës në Kosovë po vjen pak ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar vendosi t’ua pezullojë vizitat dhe komunikimet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë si të akuzuar për krime lufte.
Gjyqtarja bullgare në korrik të vitit të kaluar e kishte anuluar vizitën e saj në Kosovë pas paralajmërimit për protestë nga Partia Socialdemokrate.
Ajo kishte planifikuar të takohej me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan, ku me ta do të fliste për punët dhe zhvillimet aktuale në Dhomat e Specializuara.