Kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti ka mbërritur në Vlorë në kuadër të Ditës së 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në një prononcim të shkurtër për Euronews Albania, ai uroi shqiptarët për pë 28-nëntorin duke thënë: “Gëzuar të gjithëve 28 Nëntorin, festën e bashkimit! Flamuri, pavarësia, bashkimi dhe liria”.
Ceremonia për Ditën e Pavarësisë u mbajt në “Sheshin e Flamurit” në qytetin e Vlorës.
Të pranishëm në ceremoni kanë qenë edhe presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe kreu i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.
Pjesë e ceremonisë është ngritja e Flamurit dhe vendosja e kurorave me lule në monumentin e Ismail Qemalit.
Të pranishëm në ceremoni kanë qenë edhe qytetarë të shumtë, të cilët kanë sfiduar edhe kushtet atmosferike dhe reshjet e shiut.
Kujtojmë se ditën e sotme Shqipëria shënon 111 vjetorin e Pavarësisë nga Perandoria Osmane, nga e cila ishte e pushtuar për rreth 500 vite.