Analisti politik, Adrian Çollaku, e ka kritikuar LDK-në dhe VV-në për mosarritjen e marrëveshjes së koalicionit.
Ai ka vlerësuar se pritshmëritë e qytetarëve nga dy partitë e para ishin të mëdha, por doli të jetë ndryshe.
“Çështja tani ka degraduar. Është menduar që shumë shpejt do të bëhet kjo qeveri, edhe pse ishte befasi që këto dy parti me dy ideologji të ndryshme të pajtohen, mirëpo kjo që po ndodh tash është pastër për çështje pazaresh politike”.
“Oferta e fundit për sot e Albin Kurtit është që i kanë shtuar edhe dy ministri, pra është çështje pazaresh”.
“Data e 26 dhjetorit tani vështirë do t’i bashkojë këto dy parti politike. Mënyra se si VV e votoi kryetarin e kuvendit duket se i prishi pak raportet”.
“Sot jemi në një situatë ku më shumë shoh gjasa që të mos bëhet qeveria sesa që të bëhet”.
“Kemi LDK-në që kërkon që posti i kryeparlamentarit t’i kthehet LDK-së, dhe në momentin që zgjedhet presidenti ky post t’i rikthehet VV-së”, raporton Klan Kosova.
“Në këtë ofertën e fundit mendoj që Vetëvendosje ka gabuar shumë. Mendoj që kjo parti i ka pasur parasysh dy gjëra: që të mos shkonte rrugës së PAN-it që s’kishte marrëveshje dhe të mos e bllokonte procesin dhe e dyta, që nëse shkohet në zgjedhje ta ketë si një adute gjatë fushatës elektorale, që ta fajësojnë LDK-në gjatë zgjedhjeve”, deklaroi Çollaku.