Thirrjet e Serbisë për të rinjtë vullnetarë që t’i bashkohen shërbimit ushtarak janë nxitje për rrezik dhe kërcënim për rajonin, vlerësojnë njohësit e sigurisë në Kosovë.
Ministrja e Mbrojtjes e Serbisë i ka ftuar të gjithë të rinjtë serbë që të aplikojnë për shërbim ushtarak të armatosur për vitin 2024. Kjo nismë serbe vjen në një kohë kur tensionet në Ballkanin Perëndimor, përfshirë rajonin verior të Kosovës, janë në një moment kritik dhe po rriten ndjeshëm.
E njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, në një prononcim për Telegrafin tha se kjo iniciativë lidhet edhe me fazën elektorale të zgjedhjeve që do të mbahen më 17 dhjetor në Serbi.
Ibishi po ashtu u shpreh se Serbia në vazhdimësi proklamon që ka forca të armatosura rezervë rreth 50.000, por sipas tij, në realitet nuk janë as 19 ,000.
“Serbia është në një krizë në aspektin e masave që po ndërmerr me qëllim të ngritjes së kapaciteteve për forcat të armatosura, që realisht nuk i ka, nga ajo që i proklamon si forca aktive e të cilat nuk i ka as 19.000, ndërsa thotë që i ka 50 mijë forca rezervë. Dhe e vetmja mundësi është që ta ndërrojë sistemin pra nga ushtria profesionale në ushtri të rregullt”.
“Kjo tregon që po nxit rrezik dhe kërcënim për rajonin. Serbia po mundohet që ta mbajë primatin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pra të jetë forcë kryesore. Mendoj se tentativat e Serbisë në krye me Vuçiqin shpijnë në fazën elektorale tash të zgjedhjeve”, tha njohësi i sigurisë.
Ai tutje deklaroi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, me veprime të tilla dëshiron që të jetë “përçues i mirë i rreziqeve dhe kërcënimeve të Putinit për pjesën e Ballkanit”.
Ndërsa, njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë dhe ushtarake, Fadil Kajtazi, tha se nisma të tilla nga autoritetet serbe janë më shumë të funksion të presionit politik.
Kjo pasi sipas tij, në këtë mënyrë Serbia po mobilizohet për të ndikuar në situatën aktuale në raport me Kosovën dhe zhvillimet në pjesën veriore të vendit.
“Serbia shërbimin ushtarak e ka dualist, pra ka edhe profesionistë edhe vullnetarë. Tash një mobilizim për të ndikuar në situatën e tanishme e cila po ndodh dhe mendoj se është një presion politik për arsye se Serbia ka forca të mjaftueshme për të ndërmarrë ndonjë veprim në drejtim të Kosovës”, deklaroi Kajtazi për Telegrafin.
Mes tjerash, ai tha se Serbia po përdor mjete të presionit të politikave mbi bashkësinë ndërkombëtare dhe mbi Kosovën për t’u paraqitur si faktor, në mënyrë që në dialog të përfitojë sa më shumë që është e mundur.
“Kjo më tepër është në funksion të politikës së presionit, pasi pas rastit në Banjska Serbia mrekullisht ka shpëtuar e pandëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe tani është duke përdorur mjete të ngjashme të presionit të politikave mbi bashkësinë ndërkombëtare dhe mbi Kosovën për t’u paraqitur si faktor në mënyrë që në dialogun me Kosovën të përfitojë sa më shumë që është e mundshme si në kompetencat e asociacionit, ashtu edhe në drejtimet tjera”, u shpreh njohësi i sigurisë.
Njoftimi i Serbisë iu drejtohet të rinjve të moshës së punës, nga 19 deri në 30-vjeç, duke i inkurajuar ata të shprehin patriotizmin e tyre përmes shërbimit ushtarak.
“Ne ftojmë çdo të ri dhe të re që të aplikojnë për shërbimin ushtarak si vullnetar, si dhe për pjesëmarrjen në programin e trajnimit për oficerët rezervë,” thuhet në njoftim.
Këto zhvillime ndodhin në prapaskenën e alarmit të Ukrainës mbi një potencial për të rritur aktivitetin ushtarak rus në Ballkan, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që ka ngritur shqetësimin se Moska mund të jetë duke planifikuar luftë në rajon.