Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën projektbuxhetin për vitin 2024.
Vlera e buxhetit do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro, derisa kryeministri Albin Kurti ka treguar për mjetet e ndara në secilin sektor.
Buxheti për sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë do të jetë rreth 370 milionë euro.
“Me këtë buxhet, kujdes e rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes e sigurisë, prandaj për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë, dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë. Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro, apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie rreth 22% më shumë sesa viti 2023 në të cilin ndodhemi aktualisht”, ka deklaruar Kurti.
Lidhur me projektbuxhetin, Front Online ka kontaktuar me njohës të sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë.
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, e pa si të nevojshëm rritjen e buxhetit për fushën e sigurisë, konkretisht për MPB-në.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka objektiva të planifikuar më herët, punë që i planifikon gjatë vitit. Po besoj që shtesat kanë qenë të nevojshme sigurisht për projekte për konsolidimin e sigurisë dhe mekanizmave që e kanë parësor sundimin e ligjit”.
Veprimi i Qeverisë, sipas tij, është i mirëpritur shkaku edhe i agresionit serb së fundmi në vend.
“Veprim i drejtë dhe i qëlluar. Sidomos tash pas veprimeve te shtetit fqinj, e kom fjalen tek agresioni i 24 shtatorit”, theksoi Hoxha.
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala tha se kërkesa për rritje të buxhetit vjen nga vetë Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Punëve të Brendshme.
“Kërkesa që vjen nga dikasteret relevant të sigurise është e percaktuar në baze të strategjis nacionale të vendit mbi rreziqet që i kanosen sigurisë. Në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes ky buxhetim është i planifikuar nga planin gjithëpërfshires të tranzicionit që ka hy dhe shtimi është me plus minus bazuar në një projeksion inflacioni ekonomik”.
Ai tregoi se ku duhet të shkojnë këto para.
“Në kuadër të MPB modernizimi i një segmentit të policise është e domosdoshme qoftë në infrastrukturen qofte edhe në pjesët e garantimit të vitalitetit operacionale për të segment në MPB”, potencoi Shala.