Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Ministerialin e organizuar në Shkup nën udhëheqjen e Spanjës, krahas përfaqësueseve të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të rajonit, me ç‘rast ka diskutuar në 3 panele të rëndësishme.
Ministrja Haxhiu ka prekur edhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin e ka fajësuar direkt Serbinë.
“Një sulm i tillë, pa dyshim është sulm ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë, sulm ndaj paqes dhe sigurisë në rajon, e për të cilin akt, ne tashmë kemi prezantuar fakte dhe dëshmi se janë të lidhura dhe mbështetura nga fqinji ynë verior, Serbia”, ka deklaruar Haxhiu.
Ministrja me këtë rast ka ftuar të gjitha vendet që të rreshtohen dhe të dënojnë “sulmet e tilla terroriste dhe të kontribuojnë për drejtësinë dhe paqen”.
“Nevoja për bashkëpunim të ndërsjellë juridik të shteteve tona në rajon, për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin, është domosdoshmëri e secilit nga ne dhe se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që të bashkëpunojë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, dhe çështjet tjera të interesit të përbashkët”, tha ndër të tjera ministrja e Drejtësisë.
Ajo ka vlerësuar reagimet e aktorëve të ndryshëm të cilët kanë dënuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, si dhe rezolutën e miratuar në Parlamenti i Evropës e cila dënon këtë akt.
Ndër të tjera, Haxhiu ka thënë se Kosova me përkushtim po përmbush obligimet e saj që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit, ndërmjet Kosovës dhe BE-së, duke i kushtuar një kujdes të veçantë edhe Raportit për Vendin të Komisionit Evropian, si dhe ka diskutuar për rezultatet përmbajtjesore në sundimin e ligjit, luftën kundër-korrupsion, reformimin penal dhe civil si dhe rezultatet konkrete në adresimin e të drejtave të njeriut mes tjerash.
Ajo ka përmendur edhe raportet ndërkombëtare në fushën e sundimit të ligjit, për të cilat tha se Kosovën e renditin “në top vendet me përparimin më të madh për vitin 2022”, shkruan klan Kosova.
Po ashtu, ministrja e Drejtësisë tha se Kosova është rreshtuar krahas aleatëve perëndimorë për të dënuar agresionin rus në Ukrainë.