Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala gjatë seancës së Kuvendit ka shprehur shqetësimin për gjendjen e minatorëve të Trepçës, të cilët tha ai janë në grevë tash 3 ditë për mungesën e pagave dhe kushtet e rënda të punës, raporton InLajmi.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve dhe qeverisë që të reflektojnë dhe të plotësohen kërkesat e tyre elementare.
Shala, tha se nuk ka asnjë pikë më të rëndësishme se sa gjendja shëndetësore e minatorëve të Trepçës, të ngujuar në nëntokë.
“Sot Trepça s’ka zhvillim, s’ka investime në teknologji, s’ka asnjë metër hulumtime të reja, s’ka sigurime të punëtorëve, s’ka ndryshim në legjislacion, s’ka menaxhment legal, ka ushtrues detyre. Sot s’ka prodhim, edhe ai që është është minimal. Sot janë mbi 10 milionë euro borxhe të ndërmarrjes Trepça. Sot minatorit nuk i paguhet as Trusti!”, tha Shala.
Ndërsa, sa i përket Bordit të KPMM-së tha se ashtu siç është zgjedhur jashtëligjshëm në zyrat e Qeverisë Kurti, jashtëligjshëm edhe po shkarkohet sepse është jofunksional mbase personat e emëruar sigurisht nuk kanë qenë aq të dëgjueshëm ndaj pushtetit./InLajmi/