Rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës e iniciuar nga PDK-ja u bojkotua edhe njëherë nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend gjatë së enjtes.
Ndërsa, vetëm një ditë më vonë kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se kërkesat e Policisë janë prioritet i qeverisjes së tij.
Ai tha se duhet të ketë kategorizime e klasifikime në mënyrë që mos të krijohet pabarazi për këtë kategori.
Për të adresuar të gjitha kërkesat, ai pohoi se u duhet edhe më shumë kohë, për siç tha të mos bëjnë gabime e të minimizohen defektet.
Për këtë dhe çështje të tjera në një intervistë ka folur deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Pushteti nuk po e përkrah rezolutën për Policinë, Shala: E pakuptueshme kjo neglizhencë
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala në një intervistë për Front Online ka thënë se është e pakuptueshme se si pushteti nuk po e përkrah një kërkesë siç thotë ai minimaliste të Policisë.
“E pakuptueshme dhe e pasqarueshme neglizhenc, papërgjegjësia dhe sabotimi që po iu bëhet institucioneve të vendit e veçanërisht atyre të sigurisë me mosfunksionalizimin e tyre me përmbushjen e obligimeve financiare dhe logjistike si asnjëherë tjetër që kanë nevojë Policia e Kosovës. Pra nuk mund ta kuptojmë që institucionet e shtetit që udhëheqin dhe menaxhojnë me institucionin më vital të shtetit në njërën anë dhe në anën tjetër të mos përmbushin kërkesat minimaliste të Policisë”, ka thënë ai.
I, pyetur se a qëndron ajo se opozita po e bën këtë për çështje politike ashtu siç po deklarojnë nga pushteti Shala ka thënë se është vet mazhoranca që po e keqpërdor edhe operacionet e Policisë, edhe mënyrën e menaxhimit e gjithçka tjetër.
“Ç’ është e vërteta politikisht ka vepruar dhe po i keqpërdor edhe mënyrën e menaxhimit, edhe mënyrën e operacioneve edhe mënyrën e gjithçka tjetër mazhoranca. Policia i ka kry detyrat e veta ligjore e kushtetuese, e mazhoranca i ka keqpërdor ato deri në skajshmëri me bazë dyshimi që edhe i ka keqpërdor ne disa raste veçanërisht në aksionet e fundit siç është rasti me rrethimin e grupit kriminal të Serbisë në Banjskë”, ka shtuar Shala.
Mosdekretimi i kryeprokurorit, Shala: Presidentja mos të qaj e të vajtojë se është kërcënuar
Ditë më parë presidentja e vendit Vjosa Osmani trego se ka marrë vendim që mos ta dekretojë kryeprokurorin e shtetit.
Madje, ajo në një konferencë për media tha se pikërisht për këtë çështje edhe është kërcënuar.
E, deputeti i PDK-së, Ferat Shala thotë se derisa presidentja thotë se është kërcënuar dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim atëherë si ndihet qytetari i thjeshtë.
“Unë konsideroj që presidentja është vonuar shumë, presidentja ka bërë edhe gabime të tjera kur paralajmëron që është e kërcënuar, dhe kur kërcënohet presidentja dhe s’kemi asnjë veprim si ndihet qytetari, si ndihet ndërmarrësi, si ndihet zyrtari i thjeshtë , punëtori i thjeshtë. Pra, është për keqardhje veprimet që i dëgjon nga niveli më i lartë i shtetit. Kur e dëgjon duke qarë, e vajtuar presidenten çka pret nga instancat tjera, pra nuk do të duhej të ndodhë diçka e tillë. Organe ka, ajo është vet pozicioni më i lartë ligjor dhe kushtetues dhe do të duhej të vepronte me kohë me fuqinë e ligjit, me fuqinë e Kushtetutës e jo të del pas kaq muajsh të thotë jam e kërcënuar, e shantazhuar e shumë çka tjetër”, është shprehur ai.
Ai, ka përmendur edhe disa fotografi ku presidentja gjatë vizitës zyrtare që ka pasur në Kroaci është paraqitur me armë në dorë duke thënë se si mund ta sabatojë rezolutën për trupa që e sigurojnë këtë shtet.
“Në anën tjetër na jep imazhe duke përdorë armë, e në anën tjetër e saboton rezolutën për trupat humane të shtetit që e mbrojnë këtë shtet dhe e sigurojnë këtë shtet”, ka thënë ndër të tjera Shala.