Policia e Kosovës ka njoftuar se sonte rreth orës 19:00 ka ndodhur një përleshje me armë zjarri lagjen “Lakrishtë” në Prishtinë, ku si pasojë tre persona kanë mbetur të plagosur, përcjell InLajmi.
Lajmin për InLajmin e ka konfirmuar zyrtarja për Informim e Policisë, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 19:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Lakrishtë në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Ahmeti.
Sipas saj, deri më tani janë identifikuar dy persona si të dyshuar në këtë rast.
“Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka shtuar ajo. /InLajmi/