Presidentja Vjosa Osmani, tha se është kërcënuar për ngritje aktakuzash e arrestime nëse nuk e dekreton për kryeprokuror Blerim Isufajn, ndërsa mos dekretimi i tij nuk u bë për shkak të shkeljeve në procedurën e përzgjedhjes, nga ana Këshillit Prokurorial, raporton InLajmi
Ndërkohë ka theksuar presidentja se ka pasur edhe presione të paligjshme.
“Në anën tjetër, unë mund t’ju them se ka pasur edhe presione të tjera të paligjshme. Ta zëmë njerëz që dërgonin mesazhe se në qoftë se nuk e dekreton dhe nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do t’i lidhim duart, etj etj. Por ata duhet ta dinë që këto më shumë se 2 dekada që jam në politikë, presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë, e nuk do të bëjnë as tani”, tha Osmani.
E pyetur për mundësinë e dërgimit të këtij vendimi të presidentes në Gjykatë Kushtetuese, Osmani ka thënë se deputetët nëse do ta shohin dokumentin me ato që pretendohen të jenë shkelje sipas saj, ata do të binden për parregullsinë e procesit.
Presidentja është shprehur se ata mund ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, por ka thënë se më pas kjo do të nënkuptonte një betejë politike dhe jo betejë ligjore.
“Nëse për arsye politike zgjedhin një rrugë të tillë, atëherë kjo për mua është vetëm betejë politike dhe jo ligjore, dhe kush do që do betejë politike me mua, betejë politike do të ketë”, deklaroi presidentja.