Në Këshillin e Evropës sot do të diskutohet rreth zhvillime në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator.
Në këtë takim, Kosova përfaqësohet nga deputet të Kuvendit të Kosovës siç janë Saranda Bogujevci (VV), Arben Gashi (LDK), Besnik Tahiri (AAK) dhe Ariana Musliu Shoshi (PDK).
Njëri nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri nga Strasuburgu ka thënë për Gazeta Blic se delegacioni i Kosovës do ta qartësojë në detaje aktin terrorist që ndodhi nga ana e Serbisë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.
“Pas një diskutimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në momentin e fundit hyri si pikë urgjente tema e Kosovës. Në diskutimet tona në Komitete dhe ne sesion plenar do të qartësojmë se akti i 24 shtatorit ishte sulm terrorist i sponsorizuar nga Serbia me qëllim të destabilizimit jo vetëm të Kosovës, por edhe Ballkanit Përendimor”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, në orët e hershme të 24 shtatorit, Policia e Kosovës u sulmua në mënyrë terroriste nga serbë të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit. Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.
Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.Në BE disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.