Një fëmijë 3 vjeçar ishte rrahur para 3 jave tek çerdhja shtetërore “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë. Në pamjet e publikuara nga ambientet shihej vogëlushi teksa tërhiqej zvarrë nga 2 punonjëse.
Front Online ka siguruar një pjesë të së aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë që rëndon ndaj Naime Muses në rolin e edukatores dhe Nexhimije Hysenit në atë të kuzhinieres në këtë institucion parashkollor.
Sipas aktakuzës , Naime Musa dhe Nexhimije Hyseni më 15 shtator të vitit 2023 rreth orës 8:15 deri në orën 09:00, në cilësinë e personave zyrtarë e kanë keqtrajtuar vogëlushin 3 vjeçar.
Fillimisht Naime Musa e tërheq zvarrë për krahu deri tek tavolina e ushqimit dhe tenton ta ulë me fëmijët e tjerë. Në pamundësi për ta kryer veprimin, asaj shkon i ndihmon edhe e pandehura tjetër Nexhmije Hyseni, e cila e ngre lart fëmijën dhe e çon tek banjo e kopshtit.
Me këtë, sipas Prokurorisë, të dyja akuzohen se veç e veç kanë kryer veprën penale keqtrajtim gjatë trajtimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Mbi to rëndon edhe akuza se kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.
Kjo meqë vogëlushi siç është konfirmuar nga eksperti i mjekësisë ligjore ka pësuar dëmtim të përkohshëm si pasojë e veprimeve të 2 zyrtarëve në regjionin ballor, gërvishtje të krahut dhe parakrahut të djathtë dhe gjakmbledhje nënlëkurore në pjesën e pasme të kofshës.