Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se çështja e përgjegjësisë mbi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit nuk beson se merr fund me deklarimin e ish -nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiçiq, se ai e ka organizuar sulmin.
“Do të thosha që gjëja e duhur për shërbimet tona të sigurisë dhe partnerë tjerë është që të vazhdojmë të tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta, ata që mbajnë përgjegjësi për sulmin duhet të mbahen përgjegjës. Ky mbetet pozicioni ynë. Ne do të vazhdojmë të tentojmë për të kuptuar çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës dhe pse”, ka thënë Hovenier në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë.
Si pasojë e sulmeve të 24 shtatorit, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe 3 sulmues serbë.
Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.
Ai është marrë në pyetje nga autoritetet serbe më 3 tetor lidhur me zhvillimet në Banjskë, ndërsa është liruar nga mbajtja më 4 tetor.
Me vendim të gjykatës i është ndaluar shkuarja në Kosovë.
Radoiçiqi akuzohet në Serbi për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.
Por ai e ka mohuar kryerjen e këtyre krimeve.
I pyetur nëse SHBA-ja ka informacione për planet e grupit të armatosur dhe nëse është përfshirë Beogradi zyrtar në sulme, në ndonjë mënyrë, Hovenier ka thënë se SHBA-ja është ende duke mësuar më shumë për rastin.
“Kjo gjë merr kohë. Ka qenë një rrethanë e komplikuar dhe do të marrë kohë derisa t’i kuptojmë të gjitha specifikat”.
Megjithatë, Hovenier e ka përsëritur se SHBA-ja beson se sulmi nuk ka qenë spontan dhe grupi ka qenë “i koordinuar”, i cili ka përdorur armë të sofistikuara të gradës ushtarake një pjesë e mirë e të cilave kanë qenë me origjine serbe me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës.
Pretendimet për Tuzllën po trajtohen “me interes”
I është pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kanë informacione për pretendimet se Radoiçiq i ka siguruar armët nga Tuzlla e Bosnje – Hercegovinës, prej janarit deri në shtator të këtij viti, Hovenier ka thënë se kjo temë konsiderohet “me interes”.
“Është e rëndësishme që autoritetet serbe kanë nisur ta analizojnë atë që do ta quaja zinxhir të ruajtjes së materialit. Ka pasur material të prodhuar në Serbi që disi ka arritur në pajisje të armatosura në Banjskë. Kjo është diçka që duhet ta kuptojmë dhe të adresohet. Nuk mund t’i vërtetoj pretendimet se këto gjëra kanë ardhur prej këtu ose atje, prej Tuzllës, ende duhet bërë punë”.
SHBA-ja, e gatshme ta këshillojë Kosovën për statutin e Asociacionit
Mes tjerash Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta këshillojnë Kosovën në hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Megjithatë, ai e ka përmendur që në fund, kjo çështje është në duart e Bashkimit Evropian, si ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, SHBA-ja do ta mirëpresë secilin propozim të Kosovës në këtë temë, që do të jetë “kredibil dhe i arsyeshëm”.
“Në fund, kjo çështje do t’i përkasë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Mirëpo, nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, ose të tjerët, se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë”.
Ky është reagimi i parë i ambasadorit Hovenier për këtë çështje, pas deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë se Kosova duhet ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe bashkë me Shtetet e Bashkuara.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Së fundi, komuniteti ndërkombëtar e ka rritur presionin ndaj Kosovës duhet e kërkuar formimin e Asociacionit sa më shpejt, shkruan Evropa e Lirë.
Diplomatët amerikanë e kanë përsëritur disa herë se Shtetet e Bashkuara besojnë se Asociacioni duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.