Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli ka thënë se sulmi që ndodhi ndaj Policisë së Kosovës në veri ishte i përgatitur mirë.
Vrajolli në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi u shpreh se indikacionet për këtë sulm ishin dhënë kohë më parë nga pala serbe.
“Indikacionet kanë qenë të pranishme, pala serbe në vazhdimësi ka ndërmarrë hapa që kanë shtyrë në drejtim të një situate të tillë duke filluar nga largimi i policëve serb nga Policia e Kosovës. Këto ndoshta janë edhe indikacionet e para që Serbia është mundu që ta frikësoj Kosovën të lëshoj pe në kushtet e saj me kërcënimin që epilogu mund të jetë ky që ndodhi tani”, tha Vrajolli, duke shtuar se indikacion tjetër ishin edhe trazirat që ndodhën në muajin maj.
“Tash kemi edhe këtë situatën që në njëfarë forme është përmendur edhe gjatë verës që mbase në shtator komuniteti serb mund të reagojë dhe ideja ka qenë me kriju një lloj përshkallëzimi që me u përdor si mjet gjatë dialogut. Ajo që u vrejt në këtë situatë ishte sulmi ishte i përgatitur mirë në aspektin e logjistikës duke filluar nga sasia e madhe e armatimit që u kap nga Policia e Kosovës dhe mjetet motorike që disa prej tyre ishin të blinduara dhe disa të karakterit policoro-ushtarak”, u shpreh Vrajolli.
Duke folur për qëllimin dhe skenarët e mundshëm të këtij sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë u shpreh se qëllimi ka qenë që të shkaktojnë trazira në pjesën veriore.
“Qëllimi ka qenë që të shkaktojnë trazira në këtë pjesë ku edhe ashtu ka qenë e tensionuar kryesisht për shkak të veprimeve të vazhdueshme që janë iniciuar nga akter që janë drejtpërdrejtë të lidhur me Beogradin zyrtar, por edhe nga vetë Beogradi zyrtar”, u shpreh Vrajolli.
Sa i përket përfshirjes së nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq në këtë sulm, Vrajolli tha se është “indikacion i drejtpërdrejt që ka involvim të shtetit serb në këtë sulmin e fundit”
“Ajo që mbetet të dihet është se në çfarë niveli ka pasur involvim nga ana e shtetit serb. Mbetet të shihet edhe nëse Vuçiq ka qenë vet ai që ka qenë mbrapa këtij sulmi. Nuk ka asnjë dyshim që Serbia ka qenë mbështetëse e këtij aksioni”, tha ai.
Vrajolli shtoi se Kosova duhet të kërkoj me vendosmëri që komuniteti ndërkombëtar të bëjë trysni ndaj Serbisë që të bashkëpunoj në lidhje me zbardhjen e këtij rasti përfshirë edhe ekstradimin e personave të përfshirë.
Vrajolli shtoi se për Serbinë është dëshmu që nuk është në interes jeta apo mirëqenia e serbëve, por që ata të sigurohen që komuniteti serb nuk integrohet në institucionet e Kosovës.
“Viteve të fundit në politikën serbe ka ngadhënjyer karta nacionaliste. Çfarëdo kritike ndaj këtij grupi mund të nënkuptoj që është në kundërshtim me bazën elektorale që lidershipi në Serbi e ka krijuar. Ata momentalisht janë në një grackë të cilën vetë e kanë krijuar”, tha Vrajolli.