Ministri i Jashtëm i Kanadës, Francois-Philippe Champagne i ka kërkuar Iranit të bëjë hetime transparente, lidhur me rrëzimin e aeroplanit ukrainas.
Sipas tij, janë 57 kanadezë që pësuan nga rrëzimi i këtij aeroplani dhe jo 63 sa ishte thënë më herët,
Ndryshimi në numrin e viktimave është rezultat i “informacionit më të fundit që kemi marrë” pas ekzaminimit të dokumenteve të udhëtimit dhe ditëlindjeve, ka thënë ai.
Champagne tha se janë lëshuar dy viza nga Irani, në mënyrë që edhe ekspertët kanadezë të mund të bëhen pjesë e ekipit të hetimit, kështu që të zbulohet një konkluzion “i plotë dhe transparent” për shkakun e përplasjes.
Kryeministri Justin Trudeau tha të enjten se burime të inteligjencës në vende të ndryshme, konkluduan se rrëzimi i avionit Boeing ishte për shkak të një sulmi raketash nga Irani, me gjasë pa qëllim.
Ministri është pyetur nga një reporter, nëse ishte i shqetësuar se hapësira e përplasjes po shkatërrohet para se hetuesit e huaj, të mund të inspektojnë zonën.
“Sigurisht që jam i shqetësuar”, tha Champagne, duke lënë të kuptohet, se kjo është arsyeja që po kërkon hetime sa më të plota.
Ai tha se Kanada po bën presion për më shumë viza nga Irani, derisa pret që ata të pajtohen me kërkesën.