Kreu i Qeverisë, Albin Kurti ndërsa foli për dialogun dhe bisedimet në Bruksel, bëri të ditur se i ka dërguar letër sqaruese kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministres së Italisë Giorgia Meloni, dhe sekretarit të SHBA-së Antony Blinken, në lidhje me takimin e 14 shtatorit, raporton InLajmi.
Siç tha ai nga Parisi dhe Berlini ka marrë konfirmim se i kanë pranuar këto letra, ndërsa shtoi se “një emisar ka deformuar procesin”.
“Së pari, unë të nesërmen, më 15 shtator, i kam dërguar letër sqaruese Parisit, Berlinit, Romës dhe Washingtonit. Nga Parisi dhe Berlini e kanë konfirmuar që i kanë pranuar. Pra i kam dërguar letër kancelarit Scholz, presidentit Macron, kryeministres Meloni dhe sekretarint Blinken”, deklaroi Kurti.
Kurti është ankuar për deformimin e dialogut nga një emisar.
“Këtu kemi të bëjmë me një emisar që e ka deformuar procesin, duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike, por duke lejuar që qerrja të vihet para kalit, që Asociacioni njëherë e pastaj shohim. Dhe ky deformim i procesit i zbatimit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi fundamentale”, tha ai./InLajmi/