Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se programi politik i këtij subjekti, i titulluar ‘Rruga e Re’, po merr formë.
Sipas tij, ky program shtron hapur vizionin për shërimin e polarizimit shoqëror që, sipas tij, ka ngulfatur Kosovën tash e sa kohë, projekton rikthimin në fundamentet shtetare të republikës – ato të lirisë e jo frikës, demokracisë e jo persekutimit, integrimit euroatlantik e jo izolimit.
I pari i LDK-së tha se ‘Rruga e Re’, që ka mbi 30 kapituj, do të ofrojë alternativa për zhvillim në çdo sektor.
Lidhur me këtë, për emisionin Edicioni Special në Klan Kosova foli anëtari i kryesisë së LDK-së, Sokol Haliti.
Ai u shpreh se po bëhet fjalë për rrugën e re, për alternativën, për perspektivën, për daljen nga kjo situatë siç tha, vërtetë inerte, nga kjo status quo.
“Do nismën progresive 2030 që e quajmë ne, jo vetëm katërvjeçare, por deri me 2030 një strategji dalëse integruese dhe zhvillimore, ekonomike, prosperuese, një unitet veprues jo vetëm i LDK-së, por i të gjitha forcave progresive, i të gjithë atyre që e duan vërtetë Kosovën të prosperuar dhe të integruar në NATO, BE dhe duke ruajtur raportet me SHBA-të dhe me partnerë të tjerë strategjikë”.
“Natyrisht vendin e zhvilluar ekonomikisht, me të rinj plot, të punësuar, të cilët vërtetë mund të punësohen e të zhvillohen në Kosovë dhe jo jashtë Kosovës për shkak se Kosova e zbrazur nuk i nevojitet askujt”, deklaroi Haliti.
Tutje ai shtoi se kryetari Abdixhiku dhe ekipi profesional është grumbulluar dhe tash e një kohë të gjatë ka hartuar programin qeverisës dhe po harton program i cili është i hapur edhe për plotësime dhe për mendime e diversitete.