Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot një aksion në Zveçan ku ka zbuluar sasi të madhe të armatimit, përcjell InLajmi.
Aksionin e Policisë në veri e ka konfirmuar vetë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ndërsa thekson se gjatë aksionit janë zbuluar granata dore, armë automatike, fishekë e eksploziv.
Tutje ka theksuar ministri Sveçla se si ky edhe aksione të tjera kanë qëllim bllokimin e kontrabandimit , ndërsa shprehet ai se Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit dhe se rendi dhe ligji nuk do të cënohet në asnjë cep të Republikës.
Postimi i plotë i tij:
Për 2 dekada, veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi.
Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm.
Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.
Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.
Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cënohet në asnjë cep të Republikës.