Zbatimi i marrëveshjes për normalizim të raporteve dhe shtensionimi i situatës në veri pritet të jenë temat kyqe të diskutimit në takimin e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Nga Qeveria thonë se agjenda e takimit të 14 shtatorit do të dihet ditëve në vijim.
Shtatori do t’i ulë sërish përballë njëri tjetrit liderët e 2 shteteve që marrëdhëniet vazhdojnë t’i kenë të tensionuara.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 14 shtator do të zhvillojnë takimin e radhës në kuadër të dialogut, por agjenda e tij nuk dihet ende.
Bile ajo nuk është dakorduar akoma, sipas Qeverisë së Kosovës.
“Agjenda e plotë e këtij takimi do të specifikohet dhe dakordohet ditëve në vijim. Për të do të njoftoheni me kohë”, kanë thënë nga Qeveria e Kosovës për RTV Dukagjinin.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj , 9 ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes 2 vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.
Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të 2-ja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.
2 vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.