Kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur, Velko Odaloviq, thotë se veprimet e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti janë lojë me zjarrin, i cili mund të shkaktojë “zjarr” në rajon, transmeton InLajmi.
Odaloviq, në programin e mëngjesit duke komentuar vizitën e Kurtit në Maqedoninë e Veriut, pa protokolle zyrtare, me simbolet e Shqipërisë së Madhe, tha se këto janë gjëra që duhen sanksionuar, sepse është e papranueshme që gjëra të tilla të ndodhin në territorin e shteti Sovran dhe mos të ketë asnjë reagim.
“Mënyra se si shkoi Albin Kurti, arsyeja pse ai ishte atje, çfarë po bënte atje, është diçka e rrezikshme, lojë me zjarrin i cili edhe mund të ndizet në atë zonë”, paralajmëroi Odaloviq.
Odaloviq, theksoi se Kurti po përpiqet të prezantohet edhe si lider i shqiptarëve në jug të Serbisë, në komunën e Preshevës dhe Bujanocit.
“Evropa është në pushime dhe hesht. Të qenit me pushime nuk na shkon për shtati, kohë kur duhet të zhvillohen aktivitete në lidhje me çështjen e veriut të Kosovës, deeskalimit dhe përgatitjeve për zgjedhje, siç është rënë dakord, por çfarë dëgjojmë. Nuk është e drejtë, sepse është e qartë se gjëra të tilla duhet të dënohen, sepse kjo është një situatë e rrezikshme, kjo është lojë me zjarrin”, vlerëson Odaloviq.
Odaloviq beson se Kurti mendon se koha do të bëjë gjithçka, se serbët nën “terrorin institucional” që ai po bën do të dorëzohen dhe dalëngadalë do të largohen nga Kosova, njofton Shërbimi Publik.

“Ai dëshiron të shkatërrojë dhe të ul marrëveshjen e Brukselit, ashtu siç nuk ekziston për ta Rezoluta 1244. Për ne dokumentet ndërkombëtare janë të shenjta. Shpresojmë që Evropa të thirret, të vijnë në vete dhe të fillojnë të respektojnë vendimet që janë marrë”, tha Odaloviq. /InLajmi/