Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i heqë masat, siç i quajti ai, e padrejta ndëshkuese ndaj Kosovës, si dhe e përsëriti se Qeveria është e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit.
Duke folur për agjencinë e lajmeve Kosovapress më 10 gusht, Kurti tha se masat janë pjesë e “asimetrisë në raporte” dhe se “sa më parë që të përfundojnë aq më mirë”.
“Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropianë sa më parë ta përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, pasi një Republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese”, theksoi ai, shkruan REL
Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut – janë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar dy muaj më parë.