Prej ditës së nesërme nis edicioni i 6-të i MIK Festival, festivali i muzikës ndërkombëtare, i cili e kthen Korçën në destinacionin më të rëndësishëm kulturor të fundjavës. Festivali do të vazhdojë për 3 netë rresht duke ia shtuar vizitorët dhe harenë e fundjavës këtij qyteti mikpritës.
Festivali MIK është iniciativë e sopranos Inva Mula. Në vigjilje të tij, Inva Mula ka ftuar përmes rrjeteve sociale që të gjithë artdashësit të shkojnë drejt Korçës në datat 28, 29 dhe 30 korrik.
“Në 3 ditë, kemi 6 koncerte, të cilët nuk i ngjajnë njëri-tjetrit, duke plotësuar afreskun e bukur të artit botëror, pikërisht në qytetin e Korçës”, thotë sopranoja Mula.
Festivali do të nisë me një koncert-homazh për Jorgjija Truja, me artistet Ramona Tullumani, Ingrid Pulizo e Dorina Selimaj, në Teatrin “Andon Zako Çajupi”. E ftuar do të jetë dhe këngëtarja greke Kalliopi Vetta, së bashku kompozitorin Janis Ioannou dhe orkestrën e tyre, të cilët do luajnë vepra të Mikis Theodorakis, shkruan ATSH.
Të tjerë artistë të MIK Festival do të jenë: Elda Laro, Alba Bioque, Ramona Tullumani si dhe Orkestra e Forcave të Armatosura.