Analisti politik, Halil Matoshi, deklaroi këtë të mërkurë se Qeveria e Kosovës në mënyrë të fshehtë po e zbaton Marrëveshjen e Ohrit, përcjell InLajmi
Matoshi tha se tërheqja e 25% e policisë nga ndërtesat komunale në veri dhe lirimi nga arresti i serbëve të portretizuar si “terroristë” janë indikator se kjo marrëveshje ka filluar të zbatohet.
Sipas tij, tërheqja e numrit të policëve sipas marrëveshjes në Pragë së bashku me zgjedhjet e parakohshme në veri si dhe lirimin nga arresti për t’u mbrojtur në liri e 5-së serbëve, që ministri Sveçla i portretizonte “terroristë” dhe “kriminelë” janë indikator se palët kanë filluar zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht Ohrit, prapa shpine dhe syve të publikut.
Postimi i plotë i tij pa ndërhyrje:
Nëse nuk e keni ditë: Ka nisë fshehtë zbatimi i Marrëveshjës së Ohrit!?
Tërheqja e 25% e policisë speciale nga ndërtesat komunale është hap i parë nga pala kosovare drejt de-përshkalëzimit.
Ky hap, së bashku me zgjedhjet e parakohshme në veri (shtator, 202) si dhe lirimin nga arresti për t’u mbrojtur në liri e 5-së serbëve, që ministri Sveçla i portretizonte “terroristë” dhe “kriminelë” âsht indikator se palët kanë nisë me e zbatu Marrëveshjën e Brukselit, përkatësisht Ohrit, prapa shpine dhe syve të publikut.
Kurti e Vuçiq e bâjnë këtë maskaradë në koordinim me boss-in e nëntokës në veri të vendit Milan Radojčić, për t’i mbajtun fshehtë nga votuesit e tyne veprimet shtensionuese dhe për me besu turmat në retorikat e forta etno-nacionaliste të tyne.
Kinse Vučić po sulmon sovranitetin e Kosovës, e kinse Kurti po e mbronë atë me sukses!
Asgjâ nga kjo.
Vetëm lojna “luftash” për me u doktë azgana në sytë e friksuem të turmave.
P.S.
Jo rastësisht Albin Kurti udhëton në nji Konferencë të së majtes në Kretë, ku takohet i relaksuet me ndërmjetësin Lajčak dhe flasin për zgjedhjet e parakohshme në veri dhe Asociacionin.
Në Symposiumin Symi, raportohet nga media se ishte e pranishme edhe Daniela Vujičić, autorja e draft-Statutit serbian të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë!??? /InLajmi/