“E turpshme”, “katastrofë” dhe “e papranueshme” është ajo që ndodhi, të enjten, në Kuvendin e Kosovës, thonë disa qytetarë
Derisa po mbahej seancë plenare, në paraditen e 13 korrikut, në Kuvendin e Kosovës nisën përplasjet ndërmjet pushtetit dhe opozitës, të cilat u shkallëzuan në përleshje fizike ndërmjet disa anëtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe deputetëve të caktuar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, në njërën anë, si dhe disa deputetëve të subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, në anën tjetër.
Përfaqësues të të 2 partive politike kanë fajësuar palën tjetër për nisjen e përleshjes, por kanë bërë thirrje që kundërshtimet politike të mos shkallëzojnë në armiqësi politike.
Njohësi i proceseve politike, Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, vlerëson se tashmë ka sinjale se këto kundërshti kanë ngjyrime të armiqësisë politike, dhe se ato dërgojnë sinjale tejet negative dhe përçarëse në opinion.
Përleshja, “e papranueshme”
Burim Ratkoceri, qytetar nga Prishtina, thotë se pamjet e dhunës, të cilat u transmetuan nga Kuvendi i Kosovës, ishin të tmerrshme, pavarësisht se kush ishte nismëtar i tyre.
“Ajo që ndodhi në Kuvend është tërësisht e papranueshme, në çdo kohë, në çdo qeveri, cilado parti që është në pushtet ose në opozitë. Ajo që pamë, nuk duhet të ndodhë asnjëherë, në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye”, shprehet Ratkoceri.
Ilmi Bajraktari pohon se sjellja e deputetëve dhe pjesëtarëve të ekzekutivit, të cilët u përleshën në Kuvendin e Kosovës, është tejet zhgënjyese.
“Ishte katastrofë e madhe ajo që ndodhi. Për një njeri që është i shkolluar, ulet aty në Kuvend, dhe ndodhin këso rastesh, gjuhen, grushtohen, rrihen, shajnë, nuk lënë gjë pa thënë unë nuk di çfarë të them. Ky popull duhet të vetëdijesohet, dhe herëve tjera këtyre njerëzve të mos u jep më votë”, thotë Bajraktari.
Fatmir Muçolli vlerëson se përleshja në Kuvend nuk pasqyron vetëm kundërshtimet politike ndërmjet subjekteve që përfaqësohen aty, si pushtet dhe opozitë, por armiqësinë e hapur, shkruan RE;
Ato janë armiqësi, hasmëri, ku nuk janë në gjendje veten ta kontrollojnë. Ajo gjuhë e urrejtjes, ajo armiqësi ngjyroset në popull. Për këtë arsye, populli është sëmurë, është politizuar në çdo segment”, thekson Muçolli.