Vendimi i Agjencisë për Regjistrim Civil që i obligon qytetarët që të tregojnë se ku i kanë veturat e paregjistruara, është mirëpritur nga Byroja Kosovare e Regjistrimit
Ndërkohë për këtë vendim, nuk ka marrë përgjigje nga drejtori i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj. Ky i fundit, nuk iu është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.
Sipas drejtorit të BKS-së, Sami Mazreku, ky vendim mund të mos i pëlqejë qytetarëve por që e pastron data-bazën e automjeteve të paregjistruara.
“Është thënë në rregullore që një qytetar kur shkon ta regjistrojë një veturë, e ka obligative me tregu se ku i ka veturat tjera që janë të paregjistruara. Nëse ti i ke 5 vetura të regjistruara, askush nuk merret me ty, mirëpo nëse shkon ta regjistrosh një veturë dhe në sistem figuron se në emër tuajin ekzistojnë edhe 2 ose 3 vetura të paregjistruara, automatikisht keni me marrë veprime që ato vetura me i regjistruar ose me i ç’lajmëruar për me mujt me vazhduar këtë proces”.
“Edhe këtë iniciative e mirëpresim dhe e falënderojmë ARC-në, sepse pavarësisht dikujt mundet mos me i pëlqyer, ky është veprim ligjor dhe e pastron data-bazën e automjeteve të paregjistruara dhe përfundimisht nuk lejon që rreziku të rritet i veturave të paregjistruara”, thotë ai.
Teksa ka folur për këtë dukuri, Mazreku ka marrë si shembull aksidentet e shkaktuara nga vetura e shitura. Thotë se ende mund të figurojnë në emër të shitësit.
“Nuk ka logjikë që dikush ta shesë një veturë dhe me e lënë me vite të tëra të lëvizë lirshëm diku tjetër pa e ditë se për çfarë qëllimi përdoret ajo veturë”, shkruan EO
“Edhe sot me kontratë noteriale është e cekur që një person është i obliguar që në momentin e nënshkrimit të kontratës noteriale brenda 10 dite me e ndërruar sigurimin sepse nëse ajo veturë është në emër të dikujt dhe nëse ai bën tri aksidente, atëherë atij tri herë i rritet sigurimi dhe kjo krijon pasoja tjera pa qenë në dijeni fare personi”, u shpreh ai, teksa apeloi tek qytetarët që mos t’i lënë veturat në emër të huaj.