Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Financave Hekuran Muratit të cilat i cilëson skandaloze dhe mashtrim i qytetarëve të Kosovës, përcjell InLajmi.
Tahiri u shpreh se vetë Murati është personi përgjegjës për pagat e ulëta në sektorin publik , ndërkohë kërkon rritjen e pagave në sektorin privat që sipas tij qenka problemi i ikjes së të rinjve nga Kosova.
Tutje deputeti opozitar tha se ministri i financave nuk ka bërë asgjë sa i përket sektorit privat, për bizneset, për ekonominë, përveç u ka rënduar jetesën, e u ka qëndruar mbi kokë tash e 2 vjet e gjysmë.
Postimi i plotë i tij:
Rrugës për te Kuvendi i Kosovës e dëgjova konferencën për media të kryeministrit, Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati. Më la shumë përshtypje një mashtrim skandaloz që e bënë me qytetarët e Kosovës, ministri Hekuran Murati.
Në këtë konferencë, ai kërkonte që sektori privat t’i rrisin pagat për punëtorët sepse u është rritur fitimi. E, është vet personi përgjegjës, që e ka në dorë, me një rishikim buxhetor, me një ndërrim të një neni, ta rris koeficientin nga 105 në 129 euro, siç kemi rekomanduar si AAK dhe me i rritë pagat në sektorin publik për 80 mijë njerëz.
Pra, e ka në dorë vendimin për t’i rritur pagat në sektorin publik, e kërkon një gjë të tillë nga sektori privat, që s’ka bërë asgjë për ta. Kjo është një qeveri, është një ministër i Financave që nuk ka bërë asgjë për sektorin privat, për biznesin, për ekonominë, veçse ua ka rënduar jetesën, e veçse u ka qëndruar mbi kokë, tash e 2 vjet e gjysmë.
Paramendoni ku jemi/InLajmi/