“Serbia kërkon të dërgojë çështjen e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare, pasi në atë rast vijat dhe lëvizjet e tyre gjeopolitike do të ishin më të mëdha dhe përfitimet e Serbisë e Rusisë do të ishin më të mëdha”, tha Kuçi.
“Strategjia e botës serbe është që të marrë verilindjen e Kosovës dhe kjo gjë bëhet më e lehtë nëpër konferenca ndërkombëtare. Prandaj, ata e shohin si të arritshme këtë nëse e lidhin me çështjen e Ukrainës”, shtoi Gurakuç Kuçi.
Në lidhje me rolin e kryeministrit Edi Rama në çështjen e Kosovës, Kuçi theksoi: “Zoti Rama e kupton shumë mirë që vendet e rajonit nuk mund të integrohen në BE pa zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, Rama nuk duhet t’i besojë shumë Serbisë dhe Vuçiçit. Duhet t’i shmanget propozimit që ka thënë se ia ka dërguar së fundmi ndërmjetësuesve të BE-së, sepse këto janë gabime që mund t’i kushtojnë edhe Shqipërisë në të ardhmen. Rama dhe Kurti duhet të bashkëpunojnë shumë ngushtë me njëri-tjetrin dhe jo të dalin me propozimë që nuk i leverdisin shqiptarëve në asnjë moment”.