Funari, 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit është kthyer vitet e fundit në destinacionin e të apasionuarve pas sporteve të aventurës.
Në Funar, veç bukurive që ofron natyra mund të ushtrohen sportet e aventurës si parashutizmi, kajake në liqen, hipizëm, çiklizëm malor, ecje dhe ngjitje në shtigjet malore.
Në Funar gjatë vitit të kaluar ka nisur puna edhe për pistën e parashutizmit, hapjen e 75 km të shtigjeve malore si dhe ndërtimin e pikës së informimit të vizitorëve.
Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.
Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë. E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën, shkruan ATSH.
Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit.