Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun, thotë se të gjithë ata që angazhohen për pavarësinë e Kosovës, pajtohen për të ashtuquajturën Shqipëri e Madhe.
Drecun, thekson se as NATO, as SHBA e as Evropa nuk kanë vullnetin e ndalimit të projektit për Shqipërinë e Madhe.
“Nëse Kosova do të ishte vërtet një shtet sovran, i pavarur, anëtar i OKB-së, do të ishte e drejta e saj sovrane të merrte vendime nëse dëshiron të anëtarësohet në një bashkim me një shtet apo jo. A mund t’i pengojë NATO-ja, duke qenë se Shqipëria është p.sh. anëtare e NATO-s, a mundet SHBA-ja apo BE-ja, nëse kanë vullnet politik. Nuk e shoh atë vullnet politik, pavarësisht deklaratave që vijnë nga zyrtarë se nuk do të ketë bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë, por mendoj se është më shumë për të qetësuar opinionin në Serbi”, tha Drecun për Pink.
Siç shtoi ai, këtë e thonë edhe ata që shohin rrezik të madh për stabilitetin e rajonit dhe rrezikun e ndryshimeve të dhunshme të kufijve.
“Kushdo që pajtohet që Kosova të jetë shtet dhe që aktivisht punon për të, sigurisht që pajtohet për një Shqipëri të Madhe. Presidenti dhe kryeministri shqiptar flasin sinqerisht për statusin e saj dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, u shpreh Drecun.
Sipas tij, anëtarësimi në OKB është parakusht për këtë.
Tutje ka shtuar Drecun se deklarimet nga perëndimorët se nuk do të ketë bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë janë deklarime që nuk ka asnjë përmbajtje.