Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar 24-vjetorin e Marrëveshjes së Komunovës, përcjell InLajmi.
Haradinaj thotë se Marrëveshja e Kumanovës i dha vulë të drejtës për të jetuar në liri, duke i dhënë fund regjimit serb në Kosovë dhe spastrimit etnik si qëllim thelbësor i Millosheviqit.
Sipas tij, rreshtimi i NATO-s me në krye me SHBA-të krah UÇK-së është konfirmim i pastërtisë së luftës sonë çlirimtare.
Ai theksoi se populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj aleatëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ndërsa shtoi se shqiptarët përjetësisht i janë falënderuese Amerikës për secilën etapë të historisë sonë.
Postimi i plotë i tij:
24 vjet më parë në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja e cila përfundimisht i dha vulë të drejtës sonë për të jetuar në liri duke i dhënë fund regjimit serb në Kosovë dhe spastrimit etnik si qëllim thelbësor i Millosheviqit.
Rreshtimi i NATO-s me në krye me ShBA-të krah UÇK-së, është konfirmim i pastërtisë së luftës sonë çlirimtare. Mobilizimi i botës demokratike për t’i dalë në krah popullit të Kosovës që synim shekullor kishte lirinë, ishte vendimtar për lirinë dhe sot shtetin tonë.
Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj aleatëve tanë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Shqiptarët përjetësisht i janë falënderuese Amerikës për secilën etapë të historisë sonë! /InLajmi/