Qytetarët e vendit vazhdojnë të paguajnë produktet me çmime të larta.
Madje, ata çdo ditë po ankohen se me këto çmime nuk po ia dalin as të mbijetojnë.
Por, ndryshe po thotë ministri i Financave, Hekuran Murati.
Të shtunën ministri Murati, deklaroi se çmimet kanë filluar t’i rikthehen normalitetit.
“Shkalla e inflacionit për muajin prill sipas ASK-së ishte 6.3%, që paraqet një rënie të theksuar krahasuar me nivelin që kishim disa muaj më parë. Çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit”, ka shkruar ai.
Ministrit Murati, i është kundërpërgjigjur deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Ajo ka thënë se ligji për çmimet tavan është dërguar në Kushtetuese për shkak se është bërë shkelje dhe se shteti nuk ka të drejtë të bëjë kufizimin e çmimeve.
“LDK-ja e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese sepse kjo është shkelje e të drejtave dhe nuk kanë të drejtë me kufizu tavanin e çmimeve sepse jemi me një shtet demokratik dhe nuk jemi me një shtet diktatorial. Dhe, këta e kanë përzier demokracinë me diktaturën. Unë mendoj që kjo Qeveri po vepron me diktaturë dhe pa logjikë dhe thjesht me inercion dhe janë të padijshëm”,ka thënë Bunjaku-Rexhepi .
Ndërsa, e pyetur se cili është mendimi i saj se përse Kushtetuesja s’ka marrë ende vendim për këtë çështje, ajo ka dhënë këtë përgjigje, shkruan FrontOnline
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese vendimet e Gjykatës Kushtetuese ne si LDK çfarë do qofshin ato i respektojmë dhe asnjëherë nuk diskutojmë për këtë, sepse për neve institucionet tona kanë rëndësi të veçantë sikurse edhe Gjykata Kushtetuese. dhe vendimet e saj nuk duhet me i komentu, por duhet menjëherë me fillu me i implementu”,ka shtuar ajo.