Shpesh – qysh prej shekujsh – mjaft artistë dhe sidomos shkrimtarë e kanë krahasuar periudhën e fëmijërisë me parajsën e pafajësisë dhe, rrjedhimisht, të lumturisë. A nuk e dëshmon këtë edhe vargu i famshëm i poetit francez Charles Baudelaire “Dhe parajsa e blertë e dashurive fëminore”, pa përmendur atë mori faqesh që rrëfejnë mallin e sinqertë të shumë autorëve pikërisht për kohën e fëmijërisë së tyre? Sigurisht që të tjerë autorë tregojnë dhe për fëmijërinë e tyre të palumtur, madje edhe fatkeqe, por, sidoqoftë, siç e pohon një tjetër autor francez, Anatole France-i, koha, me kalimin e saj, ia zbut vrazhdësinë edhe kujtimit më të keq.
Gjithsesi, për një fëmijë “dhuna” e edukimit fillon që nga çasti kur ai shkëputet prej barkut të nënës: A nuk pëson ai një tronditje tek lind duke kaluar nga errësira në dritë, nga qetësia në zhurmë dhe nga lëngu amniotik në ajër para se të hajë një të goditur vitheve që të nisë mirëfilli të marrë frymë? A është parë ndonjë i porsalindur të qeshë teksa vjen në jetë? Jo, të gjithë të porsalindurit qajnë! Mandej, më vonë, në një etapë të dytë, edhe shkëputja nga gjiri amtar ka të ngjarë të përjetohet si “dhunë” nga fëmija tashmë të paktën një deri 2-vjeçar; më tej, edhe vajtja në kopsht, pra shkëputja nga shtëpia, nga prindërit e nga gjyshërit, me shumë gjasë arrin të nxitë tek ai të njëjtin përjetim; pastaj, edhe vajtja në shkollë mund të krijojë të njëjtën situatë.
Siç shihet, të paktën sa më lart, çdo ndryshim i ndjeshëm përbën ose, më saktë, me rritjen e fëmijës mund të përbëjë njëfarë dhune, sepse e shpie atë nga një ndryshim në tjetrin, ndryshime këto që kërkojnë nga nëna e babai, nga gjyshja e gjyshi, nga edukatorja e mësuesja (veçanërisht nga këto dy të fundit) një punë fort të kujdesshme me takt, durim e mirëkuptim të veçantë për ta mësuar fëmijën që të përshtatet me ndryshimet jo thjesht duke u nënshtruar verbazi, por duke i kuptuar sadopak ato; në këtë drejtim, si prindërit ashtu edhe edukatorët, edhe mësuesit duhet detyrimisht të bashkëpunojnë me pediatrit fillimisht, në vazhdim edhe me psikologët deri sa fëmijët të arrijnë të paktën deri në moshën e pubertetit, çka nuk do të thotë aspak se psikologia ose psikologu nuk do të jenë më të nevojshëm për nxënëset e nxënësit edhe në shkollën nëntëvjeçare, edhe në shkollën e mesme.
Nga ana tjetër, një rëndësi të veçantë merr edhe puna me fëmijët e rrugëve, të cilët, i kanë apo jo prindërit, janë të ekspozuar dhe mund të bien viktima të mashtruesve të të gjitha llojeve, që nga pedofilët deri tek tregtarët e organeve. Gjithashtu, një rëndësi shumë të veçantë merr edukimi i fëmijëve të braktisur që rriten në jetimore, fjalë kjo e frikshme, që është zëvendësuar me togfjalëshin “shtëpia e fëmijëve” apo ndoshta me një tjetër edhe më të përshtatshëm. Me këtë kategori fëmijësh, përveç cilësive më të mira pedagogjike e psikologjike, ekipet e edukatorëve duhet të kenë në gjak, si refleks thuajse të lindur, empatinë, d.m.th. ndjenjën e dhembshurisë, sepse, të privuar e të frustruar që në lindje nga nënat, fëmijët në fjalë janë psikologjikisht tejet të brishtë dhe, mjerisht, njëri ndryshe nga tjetri, çka e vështirëson edhe më shumë punën e edukatorëve e të mësuesve të tyre, shkruan Revista Psikologjia.
Si përfundim, në të gjitha rastet, duhet bërë çmos që fëmijët të mësohen me idenë se edukimi, i cili, në pamje të parë, mund t’u duket si dhunë, nuk është i tillë, prandaj bashkëpunimi midis mësuesve dhe psikologëve është jo thjesht i këshillueshëm, por i detyrueshëm, dhe i domosdoshëm.