Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova që të organizojë zgjedhje të reja në 4 komunat veriore.
Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli ka thënë se në këtë situatë, janë 2 mundësi të vetme për mbajtjen e zgjedhjeve.
Sipas tij, dorëheqja e kryetarëve aktual të këtyre komunave do të ishte opsion më i lehtë në aspektin procedural, ndërsa që opsioni i 2 çon në një mini referendum për t’i shkarkuar kryetarët.
“Në situatën e tanishme kur kërkesat ndërkombëtare janë intensifikuar për të gjetur rrugëdalje për të mbajtur sërish zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, legjislacioni në Kosovë ofron 2 mundësi të vetme. E para dhe më e lehta në kuptimin procedural dhe që nuk ka edhe aq shumë kosto është dhënia e dorëheqjes së kryetarëve, që si veprim do t’i hapte rrugë presidentes së vendit që t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme në disa komuna. Megjithatë, duke parë që kryetarët, të paktën 2 prej tyre në deklarata personale, edhe deklaratat e Memli Krasniqit në Kuvend se kryetarët e PDK-së jo domosdo do t’i binden kërkesës së kryeministrit Kurti për të dhënë dorëheqje, atëherë kjo do të çonte te opsioni i dytë që parasheh ligji për largimin e kryetarëve aktual, që zhvillohet përmes një peticioni fillimisht, ku duhet të nënshkruhen të paktën 20 % e votuesve me të drejtë vote në secilën prej këtyre komunave”, thotë ai.
Ai shpjegon procedurat për opsionin e 2 , ku qytetarët serbë duhet të votojnë për shkarkimin e kryetarëve aktual të komunave veriore, në mënyrë që më pas presidentja t’i shpall zgjedhjet.
“Në rast se arrihet ky kriter, atëherë kjo kërkesë pra formale për largimin e kryetarit, i dërgohet kryetarit të Kuvendit të Komunës, i cili është i obliguar që atë ta përcjellë te KQZ, që pastaj si institucion ka përgjegjësi ligjore që të organizojë një lloj mini referendumi, qytetarëve u parashtrohet pyetja se a janë për apo kundër largimit të kryetarëve, përkatësisht shkarkimit të kryetarit të komunës së tyre. Dallimi me këtë proces zgjedhor është që kërkohet një prag minimal jo vetëm i daljes, por edhe i votave që kërkohen, pra, duhet që në këtë referendum të marrin pjesë më shumë se gjysma e votuesve me të drejtë vote dhe po ashtu duhet të votojnë për shkarkimin e kryetarit më shumë se gjysma e votuesve me të drejtë vote. Pra, jo vetëm e atyre që dalin dhe votojnë por ky numër duhet që të jetë dhe të përfaqësojë më shumë se gjysmën e votuesve me të drejtë vote në atë komunë. Në rast se kjo arrihet, atëherë presidentja shpall sërish zgjedhjet e reja, të cilat mbahen brenda afateve të përcaktuara ligjore prej 30-45 ditë”, thekson Cakolli.
Ai tregon problemet që janë me këtë opsion të zgjedhjeve, derisa është më i kushtueshëm dhe merr më shumë kohë, ku do të konsumohej 2 e 3 e mandatit të kryetarëve.
“Problemi me këtë opsion është se përveç se është më i kushtueshëm sepse kërkohen 2 procese të votimit, është problematik edhe për shkak të kohëzgjatjes që merr për t’u administruar në tërësi, edhe pse nuk ekzistojnë afate strikte të përcaktuara sa i përket këtij mini referendumi, në tërësi si proces do të merrte 4-6 muaj për t’u administruar në tërësi, iniciativa, dërgimi i saj, mbajtja e procesit të parë të votimit, organizimi i zgjedhjeve të reja, certifikimi i rezultateve, që pastaj do të na çonte mbase diku nga fillimi i vitit të ardhshëm, që përbën më shumë e dy të tretat e mandatit që do të konsumohej dhe kryetarët e rinj edhe po të zgjidheshin do të kishin mandat vetëm deri nga fundi i vitit 2025, pra do të ishte thjesht një kosto e panevojshme dhe për këtë arsye duhet të gjendet një zgjidhje politike, ndonëse kjo si opsion si referendum do të ishte më i mirë sepse do të testohej nëse ka njëmend vullnet të komunitetit serb për të marrë pjesë në proces zgjedhor”, deklaron Cakolli nga KDI.
Ndërsa, sa i përket mundësisë së bojkotimit të zgjedhjeve sërish nga ana e serbëve, sipas tij, kjo varet nga modaliteti që gjendet dhe nga presioni ndërkombëtar, shkruan Gazeta Blic
“Kjo varet ekskluzivisht nga modaliteti që gjendet fillimisht, por edhe nga presioni ndërkombëtar. Nëse i kemi parasysh nga kërkesat e parashtruara nga Borrell por edhe presidenti Macron, kancelari Scholz por edhe SHBA-të, një prej kërkesave kyçe është pjesëmarrja e komunitetit serb në zgjedhje, e cila garantohet nga Beogradi zyrtar, përkatësisht me pjesëmarrjen e Listës Serbe”, shton ai.