Nën vazhdën e aktiviteteve gjatë ditës së sotme, në pamundësi për të qenë vetë i pranishëm në përurimin e librit “Tmerri ka Emër” të autorit Asllan Selimi, kryeministri Kurti ka uruar autorin në fjalë, i cili me librin e tij ka dëshmuar të vërtetën mbi vuajtjet dhe sakrificat e të gjithë të burgosurve që patën fatin të përjetojnë ankthet e tmerrit në burgjet serbe, përcjell InLajmi.
“Libri “Tmerri ka Emër” i autorit, ish të burgosurit politik dhe të mbijetuarit të masakrës së Dubravës, Asllan Selimi, është dëshmi autentike e radhës e cila na rikthen memorien tonë kolektive të atyre viteve që nuk guxojnë të harrohen. Përmes këtij libri, shoku ynë i burgjeve Asllan Selimi sjell përjetimet jo vetëm të tijat, por të gjithë të burgosurve të shumtë që patën fatin të përjetojnë ankthet e tmerrit në burgjet serbe”.
Para të pranishmëve, fjalën e kryeministrit e lexoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni, njëherësh anëtar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.
Ky organizim u realizua në mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani në Prishtinë”. /InLajmi/