Lidha Demokratike e Kosovës ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, i cili tha se Qeveria e Kosovës do të të ketë për synim kthimin e mërgatës shqiptare, përcjell InLajmi.
Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, i reagon Kurtit, duke i thënë “gjatë qeverisjes së shpresës, mbi 100.000 kosovarë të zhgënjyer e kanë braktisur vendin dhe e kanë rritur mërgatën që ju thoni se do ta ktheni”.
Sipas Hamitit, kjo Qeveri e Kosovës po i përzë qytetarët e saj, duke ua mbytur shpresën dhe fyer inteligjencën ndërsa në të njëjtën kohë po shpalos synime absurde që ta kthejë mërgatën.
Tutje, ai thotë se Qeveria e ka katandisur Kosovën keq e më keq ndërsa shton se kjo katandisje nuk ndalet pa shkuar kjo qeveri.
Postimi i plotë i tij:
“Rruga jonë është rrugë për kthimin e mërgatës”, paska thënë kryeministri Kurti sot në një video.
I buzëqeshur, i vetëkënaqur, kryeministri e thoshte këtë ndërsa në 2 vitet e fundit, gjatë qeverisjes së tij të ‘shpresës’, mbi 100.000 kosovarë të zhgënjyer e kanë braktisur vendin dhe e kanë rrritur mërgatën që Kurti thotë se do ta kthejë.
Ikja e kosovarëve nga vendi “është diçka normale”, thoshte para 10 ditësh zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi.
Kjo Qeveri e Kosovës po i përzë qytetarët e Kosovës, po e rrit mërgatën tonë, me synimin për ta kthyer mërgatën! A s’është absurde kjo?
Kjo Qeveri po e katandis Kosovën ditë për ditë, keq e më keq.
Qeveria e Albin Kurtit po i përbuz qytetarët e Kosovës, po ua mbyt shpresën dhe po ua fyen inteligjencën.
Katandisja e Kosovës nuk ndalet pa shkuar kjo Qeveri. Natyrisht, kjo është në dorën e qytetarëve të Kosovës, e atyre që e kanë votuar dhe e atyre që s’e kanë votuar këtë Qeveri demagogësh. /InLajmin/