Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e themelimit të Shoqatës së re të Miqësisë, Kosovë – Austri, përcjell InLajmi.
Duke shprehur kënaqësinë që është prezent në këtë ngjarje të veçantë, kryeministri Kurti theksoi se kjo është ngjarja e 4 në 10 ditët e fundit të këtij muaji ku në qendër të vëmendjes është bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
“Austria është një partner i palëkundur i Kosovës, si para ashtu dhe pas pavarësimit të vendit, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë në një sërë fushash; nga zhvillimi ekonomik e deri te bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Këtë vit, bashkë me 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, shënuam edhe 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet 2 vendeve tona”, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se Austria ishte ndër shtetet e para që mirëpriti dhe mbështeti aplikimin tonë në Bashkimin Evropian, dhe ndër shtetet që me votë dëshmoi mbështetjen e saj për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Më tej, kryeministri potencoi faktin se Austria ka ofruar mbështetje ndër vite për Kosovën përmes ekspertëve duke ndihmuar në forcimin e institucioneve tona dhe promovimin e qeverisjes së mirë.
Shkëmbimet tregtare ndërmjet 2 vendeve tona kanë shënuar trend pozitiv. Vetëm në 2 vitet e fundit (2020-2022), eksportet drejt Austrisë janë rritur për 120%, ndërkohë që investimet e huaja direkte vitin e kaluar, pra në vitin 2022 ishin dyfish më shumë sesa në vitin pararendës 2021.
“Megjithatë, partneriteti ynë me Austrinë është më shumë se thjesht një komoditet apo mall. Ai bazohet në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Ne ndajmë një vizion për një Evropë paqësore, të begatë dhe të integruar, ku të gjithë kombet dhe popujt zhvillohen dhe janë të barabartë”, vlerësoi kryeministri Kurti.
Në fund të fjalës së tij, Kurti tha se nga sot themelimi i shoqatës së re të miqësisë Kosovaro-Austriake do të jetë një tjetër pikënisje për zgjerim të kontakteve dhe shumëzim të urave të bashkëpunimit ndërmjet popujve, shteteve dhe bizneseve të të 2 vendeve tona. /InLajmi/