Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ylfete Fanajn për zgjedhjen e saj si ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive, përcjell InLajmi.
Osmani ka thënë se Ylfetja është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme.

Për më tepër, presidentja rikujtoi se e ka takuar Fanajn në një vizitë në Zvicër derisa shtoi se e ka përgëzuar edhe asokohe për sukseset e saj prej vitesh në shtetin helvetik.
Osmani thekson se Ylfete Fanaj është ndër përfaqësueset më të denja të mërgatës sonë, e cila është pjesë vitale e shtetit të Kosovës.
Deklarata e plotë e saj:
Në vitin 2021, pata kënaqësinë ta takoj znj. Ylfete Fanajn, në cilësinë e kryetares së Parlamentit të Luzernit në Zvicër dhe ta përgëzoj për sukseset e saj prej vitesh në shtetin helvetik. Ajo dëshmoi zell dhe vendosmëri për përmirësimin dhe avancimin e politikave për të gjitha komunitetet pa përjashtim.
Sot, kam kënaqësinë ta uroj me zemër që u bë ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive.
Ylfetja është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme.
Ajo është ndër përfaqësueset më të denja të mërgatës sonë, e cila është pjesë vitale e shtetit të Kosovës.
E nderuar Ylfete, të prifshin sukseset dhe qofsh urë e fortë lidhëse e Republikës së Kosovës me Zvicrën!/InLajmi/





















